Avokimi & Diplomacia
Diaspora në programet e partive politike – Zgjedhjet 2025
Date: 04/02/2025
0 Views

Germin ka analizuar programet zgjedhore të partive kryesore në Kosovë për të vlerësuar përfshirjen e diasporës në politikat e tyre. Kjo analizë përqendrohet në disa fusha kryesore, përfshirë pjesëmarrjen e diasporës në hartimin e programeve, rolin ekonomik të diasporës, promovimin e kulturës dhe gjuhës shqipe, përfshirjen në politikën e jashtme, ofrimin e shërbimeve institucionale, si dhe nxitjen e kthimit të profesionistëve nga diaspora. Rezultatet tregojnë qasje të ndryshme të partive në raport me diasporën, nga masa konkrete për investime dhe shërbime institucionale deri te mungesa e përfshirjes së qartë në disa aspekte kyçe. Kjo analizë synon të ndihmojë në kuptimin e angazhimit politik ndaj diasporës dhe të nxisë një debat më të gjerë mbi rolin e saj në zhvillimin e Kosovës.

 

 Programi i Lëvizjes Vetëvendosje për diasporën fokusohet në fuqizimin e pjesëmarrjes së mërgatës në zhvillimin e Kosovës. Një nga masat kryesore është krijimi i “Dritares për Investime të Diasporës”, e cila synon të mbështesë investitorët nga diaspora me projekte deri në 100 milionë euro. Po ashtu, Vetëvendosje synon integrimin e Kosovës në sistemin SEPA për të lehtësuar transferet financiare, duke eliminuar tarifat e larta dhe duke kursyer miliona euro nga remitancat. Një tjetër prioritet është ruajtja e gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës, përmes mësimit të strukturuar në bashkëpunim me Shqipërinë, duke synuar ofrimin e tij në të gjitha vendet me komunitete shqiptare. 

 

Programi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për diasporën synon forcimin e lidhjeve dhe mundësive të bashkëpunimit ekonomik e shkëmbimeve kulturore. Një nga prioritetet kryesore është përmirësimi i shërbimeve konsullore përmes zgjerimit të tyre dhe përdorimit të teknologjisë për të thjeshtuar procedurat burokratike. Po ashtu, programi parashikon përfaqësimin e diasporës në institucionet e Kosovës, duke propozuar vende të garantuara në Kuvend dhe Qeveri. Një tjetër iniciativë është krijimi i regjistrave të diasporës për të kategorizuar profesionistët dhe për t’i lidhur me projekte zhvillimore. Për ruajtjen e identitetit kombëtar, PDK synon hapjen e qendrave kulturore dhe mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës. Një aspekt i rëndësishëm është angazhimi i diasporës në lobimin ndërkombëtar, duke e konsideruar atë një aktor kyç në promovimin e njohjes së Kosovës dhe tërheqjen e investimeve. Për më tepër, programi parasheh nxitjen e kthimit të profesionistëve përmes krijimit të programeve që lehtësojnë integrimin e tyre në tregun e punës në Kosovë. Në përgjithësi, përqendrimi kryesor i PDK-së është fuqizimi i marrëdhënieve me diasporën, duke vënë theksin në investime, shërbime konsullore dhe përfaqësim në institucionet e vendit.

 

Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për diasporën synon të forcojë lidhjet dhe bashkëpunimin përmes iniciativave në transport, ekonomi, arsim dhe kulturë. Një nga propozimet kryesore është krijimi i një Aviokompanie Kombëtare për të lehtësuar lidhjet ajrore mes Kosovës dhe vendeve me diasporë të madhe shqiptare. LDK vlerëson rolin ekonomik të diasporës dhe potencialin e saj për të tërhequr investime e stimuluar turizmin. Po ashtu, programi parasheh krijimin e programeve për shkëmbimin e njohurive dhe mentorimin nga profesionistë të diasporës, duke e konsideruar transferimin e njohurive si një element kyç për zhvillimin e Kosovës. Në aspektin kulturor dhe politik, diaspora shihet si një faktor i rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e kulturës kosovare si dhe për lobimin ndërkombëtar. Për të mbështetur kthimin dhe integrimin e diasporës, LDK propozon politika që lehtësojnë këtë proces dhe krijojnë mundësi për përfshirjen e saj në ekonominë vendase. Një tjetër iniciativë është themelimi i “Unionit të Bizneseve të Diasporës” për të forcuar bashkëpunimin mes bizneseve të diasporës dhe atyre lokale. Për më tepër, programi synon forcimin e bashkëpunimit me shoqatat dhe rrjetet e diasporës për ruajtjen e identitetit dhe angazhimin e rinisë. Në përgjithësi, fokusi i LDK-së është në zhvillimin ekonomik dhe arsimor, përfshirjen e diasporës në lobimin ndërkombëtar dhe krijimin e mundësive për investime e bashkëpunime kulturore e ekonomike.

 

Programi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për diasporën synon të krijojë një qasje strategjike për angazhimin e saj në zhvillimin ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës. Një nga prioritetet kryesore është investimi në potencialin ekonomik dhe turistik të vendit për të tërhequr investime nga diaspora, duke përgatitur një evidencë të detajuar mbi këto mundësi. Në këtë kuadër, AAK parashikon një plan veprimi për “Nation Branding”, i cili do të përfshijë strategji të komunikimit për promovimin e turizmit, si dhe diplomacinë ekonomike dhe publike. Në aspektin arsimor, rregullimi dhe përmirësimi i arsimit plotësues në diasporë konsiderohet prioritet në politikat e partisë, për të siguruar ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor. Strategjia për parandalimin e emigrimit dhe mbështetjen e diasporës përfshin masa për kontrollin e emigrimit dhe subvencionimin e projekteve ekonomike të diasporës, duke synuar krijimin e kushteve më të favorshme për investime. Në këtë drejtim, AAK propozon gjithashtu një pako të veçantë për të nxitur investimet nga diaspora. Në përgjithësi, fokusi i AAK-së është ndërtimi i një qasjeje strategjike për përfshirjen e diasporës në zhvillimin e Kosovës, fuqizimi i diplomacisë ekonomike dhe lehtësimi i investimeve nga bashkatdhetarët.

 

Analiza e programeve zgjedhore të partive kryesore në Kosovë tregon qasje të ndryshme ndaj diasporës, por edhe pika të përbashkëta që e njohin rolin e saj kyç në zhvillimin e vendit. Partitë kanë përfshirë në programet e tyre masa që variojnë nga nxitja e investimeve dhe përmirësimi i shërbimeve konsullore, deri te promovimi i kulturës dhe përfaqësimi politik i diasporës.

 

Disa parti, si Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK, fokusohen në politika konkrete për investime dhe diplomaci ekonomike, ndërsa PDK dhe LDK theksojnë fuqizimin e lidhjeve institucionale dhe përfaqësimin politik të diasporës. Në përgjithësi, mbështetja për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturës është një prioritet i përbashkët për të gjitha partitë.

 

Megjithatë, mbetet e paqartë se si dhe në çfarë mase do të realizohen këto premtime në praktikë. Prandaj, është e rëndësishme që diaspora të mbetet aktive në mbikëqyrjen dhe angazhimin e saj me institucionet e Kosovës, duke siguruar që zëri i saj të përkthehet në politika të prekshme dhe të zbatueshme.

Tabela krahasuese e programeve

Kjo analize u realizua me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Qendra për Promovimin Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze  (NMFA).

Të fundit
Lajme të ngjashme
Njoftohuni me zhvillimet, iniciativat dhe diskutimet e fundit lidhur me Avokimin dhe Diplomacinë.
News
IBAS: Nga Një Ide Inovative në Një Lider të Tregut Financiar
Kur Gazmend Selmani nisi rrugëtimin për të themeluar IBAS, ai kishte një vizion të qartë: të krijojë një institucion financiar që jo vetëm do të modernizonte shërbimet e pagesave dhe investimeve, por do të ndryshonte mënyrën se si njerëzit dhe bizneset i menaxhojnë financat e tyre. Si nevojë e kohës, duke parë boshllëqet në treg dhe potencialin e madh për inovacion, ai dhe ekipi i tij ndërtuan një platformë që sot ka rritjen më të madhe dhe të qëndrueshme në tregun e fintech.   IBAS SI ZGJIDHJE E NEVOJAVE TË TREGUT   Në një kohë kur tregu financiar në Kosovë kishte mungesë të zgjidhjeve digjitale të avancuara, IBAS u krijua për të ofruar një platformë gjithëpërfshirëse që i shërben individëve dhe bizneseve. Me shërbime që përfshijnë pagesat, transferet e parasë, kreditë, mbitërheqjet dhe modelin inovativ “Buy Now, Pay Later”, IBAS është platforma me ofertën më të llojllojshme në treg. Për më tepër, ofrimi i këshillimit për investime në instrumente financiare në tregjet e rregulluara e bën atë një opsion unik jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.   Megjithatë, sfidat e shumta për një institucion të tillë ekipi i IBAS i shndërruan në pasion për t’i zgjidhur shpejtë e me lehtësi.    NGA RRITJA LOKALE TEK AMBICIET NDËRKOMBËTARE   Në pak vite, IBAS u bë institucioni i parë i parasë elektronike në Kosovë dhe arriti të fitojë mbi 40,000 klientë në Kosovë. Përmes një kombinimi të teknologjisë së avancuar dhe përkushtimit ndaj shërbimit ndaj klientit, IBAS kontribuon në ekosistemin financiar me një qasje që i jep përdoruesve fleksibilitet dhe siguri.   Performanca e IBAS është mbresëlënëse: me një rritje mesatare të të ardhurave prej mbi 138% gjatë tre viteve të fundit, kompania ka tejkaluar shumë institucione financiare të ngjashme, madje edhe disa që vlerësohen në miliarda dollarë (Revolut, Monzo, Starling, N26, Klarna, etj.) duke shënuar rritje të jashtëzakonshme të vlerës, deri në mbi 400 herë më shumë se investimi i tyre fillestar. Rritja eksponenciale e IBAS, sidomos duke pasur parasysh fillimet në një treg relativisht të vogël, paraqet mundësi të jashtëzakonshme për investitorë.    Për këta të fundit, IBAS ka shkuar një hap më tej në krijimin e një lehtësie ligjore, duke u themeluar IBAS në Mbretërinë e Bashkuar, një nga vendet me infrastrukturën më të avancuar në botë në tregjet financiare.    ÇFARË PRITET NË VAZHDIM NGA IBAS?   Për të adresuar këtë kërkesë dhe për të zgjeruar më tej operacionet, IBAS vendosi të hapte një cikël fillestar investimesh përmes CrowdCube, platforma e njohur dhe e licencuar për investime në Mbretërinë e Bashkuar.    Fillimisht, IBAS synoi të siguronte 1 milion euro, por brenda një kohe të shkurtër, pa e publikuar thirrjen finale, arriti të mbyllë 61% të kësaj shume. Për shkak të interesit të lartë të publikut, kompania vendosi të rrisë shumën e synuar në 1.25 milion euro. Me këto fonde, IBAS planifikon të zgjerojë aktivitetet në Kosovë dhe të përgatitet për serinë A të investimeve, ku vlera e investimeve do të jetë dukshëm më e lartë. Objektivi kryesor është hyrja në tregun evropian (EEA) dhe përgatitja për IPO në bursën e Londrës ose Nasdaq.    HISTORI SUKSESI: NGA KLIENTËT TEK INVESTITORËT   Një nga treguesit më të mirë të suksesit të IBAS është ndikimi që ka pasur tek klientët dhe investitorët. IBAS filloi si një vizion në letër, por investitorët e hershëm besuan ne te dhe e trajtuan si një mundësi të sigurt për sukses. Tani, të gjithë investitorët aktualë shohin rritje të vazhdueshme të vlerës së kapitalit të tyre, një trend që me shumë gjasë do përcillet nga viti në vit. Grafikonët e performancës së IBAS vazhdojnë të jenë në rritje, duke e vendosur kompaninë në një pozicion të fortë për të arritur objektivat e saj të mëdha.    Një moment kyç për IBAS ka qenë konsolidimi i reputacionit si një institucion financiar inovativ dhe i besueshëm. Duke ofruar zgjidhje të personalizuara për nevojat e klientëve dhe duke siguruar që çdo shërbim të jetë transparent dhe i mbrojtur nga rregulloret ndërkombëtare, IBAS ka krijuar një bazë solide për suksesin e radhës.   IBAS nuk e sheh suksesin vetëm në terma të rritjes financiare, por edhe në ndikimin e tij në industrinë financiare, respekitivisht sektorin e FinTech. Pas këtij cikli fillestar të investimeve, kompania do të fokusohet në:   Zgjerimin e shërbimeve në tregun kosovar, duke forcuar pozicionin e tij si lider në këtë industri. Përgatitjen për serinë A të investimeve, që do të sigurojë kapital shtesë për zgjerim në tregjet ndërkombëtare. Rritjen e numrit të klientëve dhe profitabilitetit, për të garantuar IPO të suksesshme në Londër ose Nasdaq.   NJË MODEL PËR SUKSESIN NË FINTECH   Historia e IBAS është një dëshmi e fuqisë së vizionit, inovacionit dhe menaxhimit të duhur. Siç thekson vetë Gazmend Selmani: “IBAS është i përkushtuar të sigurojë që grafiku i kthimit të investimeve të ndjekë të njëjtën trajektore siç është ai i rritjes së të hyrave, duke u krahasuar me standardet e vendosura nga liderët e industrisë si Revolut, Monzo, Starling, N26 dhe Klarna.”    IBAS ka dëshmuar se, me strategjinë dhe përkushtimin e duhur, çdo synim mund të arrihet. Me hapa të qartë drejt zgjerimit dhe një plan të mirëpërcaktuar për listim në bursë, IBAS po ndërton të ardhmen e tij si një emër i fuqishëm në industrinë globale të FinTech.
Date: 27/03/2025
0 Views